Tjetër grabitje spektakolare në Francë: Vidhen bizhuteri me vlerë miliona euro nga muzeu Lalique

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.07.2026, 15:29

Franca është tronditur nga një tjetër grabitje e profilit të lartë. Hajdutë të maskuar kanë hyrë në Muzeun René Lalique në Wingen-sur-Moder, në verilindje të vendit, duke vjedhur rreth 20 bizhuteri me një vlerë të përllogaritur afërsisht 4 milionë euro.

Sipas autoriteteve, grabitja ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit të ditës së djeshme. Autorët, të veshur me rroba me kapuç, depërtuan në muze, shkuan direkt në sallën e ekspozimit të bizhuterive, thyen disa vitrina dhe morën objektet brenda tyre. E gjithë grabitja u krye brenda një kohe shumë të shkurtër.

Edhe pse sistemi i alarmit u aktivizua menjëherë, autorët arritën të largoheshin pa u kapur. Policia u njoftua vetëm pasi një punonjëse e pastrimit mbërriti në muze dhe konstatoi shenjat e thyerjes. Aktualisht, hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët.

Muzeu ka njoftuar se do të qëndrojë i mbyllur për disa ditë, derisa të forcohen masat e sigurisë.

Ngjarja vjen më pak se një vit pas grabitjes së bujshme në Muzeun e Luvrit në Paris, e cila riktheu në qendër të vëmendjes sigurinë në muzetë dhe galeritë franceze. Pas asaj ngjarjeje, autoritetet kishin shtuar masat e mbrojtjes në institucionet kulturore, por grabitja e fundit ngre sërish pikëpyetje mbi efektivitetin e tyre.

Muzeu René Lalique, i hapur në vitin 2011 pranë fabrikës historike të kompanisë Lalique, ruan mbi 650 vepra të stilit Art Nouveau dhe Art Deco, duke përfshirë bizhuteri, qelq artistik dhe kristale të krijuara nga mjeshtri i famshëm francez René Lalique.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit