SMS-të e Call Center-ave në 2025 që përfshijnë policinë: Na njoftuan këta të shtetit, sot pushim

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.07.2026, 15:11

SPAK po vijon hetimet ndaj rrjeteve të Call Centerave mashtrues, të cilët dyshohet se kanë zhvilluar skema mashtrimi ndaj mijëra qytetarëve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash. Sipas informacionit të publikuar, këto të ardhura dyshohet se janë pastruar përmes investimeve në sektorët e ndërtimit, turizmit dhe kriptomonedhave. Më herët, autoritetet shqiptare ekstraduan në Gjermani shtetasin izraelito-kanadez Roy Garine, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe mbi rrjetin e bashkëpunëtorëve të tij në Shqipëri.

Në fokus të verifikimeve është edhe Kevin Shytaj, i cili sipas burimeve përshkruhet si personi që merrej me organizimin administrativ dhe koordinimin e aktivitetit në shërbim të Roy Garine. Gjithashtu po shqyrtohet një komunikim i datës 22 dhjetor 2025 mes Kevin Shytajt dhe Henri Pashës, një person i identifikuar si bashkëpunëtor i grupit. Në mesazh, Shytaj i shkruan: “Të lutem mos kalo sot se morëm pushim, na lajmëruan këta të shtetit”, duke anuluar një takim të planifikuar. Ky komunikim po analizohet nga hetuesit për të kuptuar nëse lidhet me informacion të marrë paraprakisht mbi operacionet e autoriteteve.

Sipas të njëjtave burime, organet e drejtësisë po verifikojnë gjithashtu rolin e mundshëm të eksponentëve të Policisë së Shtetit, si edhe lidhje të mundshme me zyrtarë të politikës dhe administratës publike, të cilët dyshohet se mund të kenë mbrojtur ose dekonspiruar aktivitetin e Call Centerave mashtrues. Operacionet ndaj këtyre strukturave janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet partnere nga Italia, Gjermania dhe Austria, ndërsa SPAK vijon hetimet për të dokumentuar rrjedhën e parave, identifikuar bashkëpunëtorët dhe sqaruar çdo përgjegjësi të mundshme penale. Duhet theksuar se këto verifikime janë pjesë e një hetimi në zhvillim dhe nuk përbëjnë provë faji për personat e përmendur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit