Niko Qarkaj, një nga protestuesit e arrestuar pak ditë më parë gjatë përplasjeve në protestën para Kuvendit, i cili u lirua sot me urdhër të gjykatës, është rikthyer mbrëmjen e kësaj të diele në protestën qytetare para Kryeministrisë.
Në një moment që ka tërhequr vëmendjen, ai iu afrua kordonit të policisë dhe puthi duart e disa efektivëve, duke dhënë një mesazh se nuk i konsideron ata armiq, pavarësisht asaj që kishte përjetuar gjatë arrestimit.
Por pak çaste më vonë situata mori një tjetër drejtim. Protestuesi identifikoi një efektiv policie, për të cilin pretendon se ishte personi që kishte dhënë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj tij gjatë shoqërimit në Komisariatin nr. 3.
Duke i treguar shenjat që, sipas tij, i kanë mbetur në trup nga dhuna e ushtruar, ai iu drejtua efektivit me fjalët: "Më godit edhe një herë!", ndërsa e akuzoi se kishte urdhëruar vartësit t'i fusnin duart pas shpine dhe e denoncoi publikisht për sjellje denigruese gjatë arrestimit.
Pamjet sollën brohorima mes protestuesve, ndërsa ky moment rikthen në vëmendje debatet mbi mënyrën e ndërhyrjes së policisë gjatë protestave të fundit dhe trajtimin e qytetarëve të ndaluar.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura nga protestuesi.