Nëntëmbëdhjetë protestuesit e arrestuar gjatë protestës të së enjtes në Tiranë janë liruar këtë të diel, pas vendimit të Gjykatës, ndërsa jashtë Komisariatit nr. 3 ata u pritën me brohorima dhe duartrokitje nga aktivistë, familjarë dhe qytetarë që kishin pritur prej orësh daljen e tyre.
Gjykata vendosi lirimin e 12 protestuesve pa asnjë masë sigurie, ndërsa për 7 të tjerë caktoi masën "detyrim paraqitje".
Ndërkohë, për dy protestues të tjerë është vendosur masa e sigurisë "arrest në shtëpi".
Në videot që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, momenti i daljes së protestuesve nga Komisariati nr. 3 shoqërohet me ovacione, brohoritje dhe përqafime nga mbështetësit e tyre.
Arrestimet u kryen pas përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestës së zhvilluar përpara Parlamentit, një ngjarje që shkaktoi reagime të shumta dhe debate mbi ndërhyrjen e policisë dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Lirimi i tyre vjen vetëm pak orë përpara protestës së radhës, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke deklaruar se arrestimet nuk do ta ndalin lëvizjen qytetare.