I moshuari godet qentë endacakë me shkopinj deri në ngordhje, ku është policia?

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 05.07.2026, 20:47

Një denoncim i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorë të Vorës, të cilët thonë se prej kohësh jetojnë përballë një skene makabre që, sipas pretendimeve, vazhdon pa asnjë ndërhyrje efektive nga institucionet.

Sipas dëshmive të qytetarëve, një i moshuar dhunon dhe vret në mënyrë sistematike qentë e rrugës, duke i goditur me shkopinj dhe gurë deri në ngordhje. Ata pretendojnë se viktima kanë qenë edhe këlyshë të vegjël.

Në videot e mbërritura, të cilat përmbajnë pamje tepër të rënda, shihet një i moshuar duke goditur vazhdimisht një qen me një shkop, derisa kafsha mbetet pa shenja jete. Në një moment, një qytetare përpiqet të ndërhyjë për ta shpëtuar kafshën, por, sipas pamjeve, personi dhunues bëhet agresiv dhe kërcënon edhe ata që tentojnë ta ndalojnë.

Për shkak të përmbajtjes tepër të rëndë dhe shqetësuese, redaksia e JOQ Albania ka vendosur të mos publikojë disa prej pamjeve. Megjithatë, nëse ato do të nevojiten për hetimin e ngjarjes, redaksia është e gatshme ti vendosi në dispozicion organeve ligjzbatuese.

Banorët pretendojnë se e kanë denoncuar rastin në Policinë e Shtetit dhe pranë institucioneve të tjera përgjegjëse, por pa rezultat.

“Janë vetëm disa nga rastet që kemi parë. Ka vrarë edhe këlyshë të vegjël me gurë. Kemi shkuar në polici, por na është thënë se nuk mund të bëhet gjë pasi personi ka probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë ai vazhdon të vrasë qentë dhe t’i lërë të ngordhur aty. Jetojmë çdo ditë me frikë dhe me këtë tmerr para syve,” shprehen banorët.

Nëse pretendimet e qytetarëve janë të vërteta dhe personi në fjalë vuan nga probleme të shëndetit mendor, kjo nuk mund të jetë arsye për të mos vepruar. Përkundrazi, është një arsye më shumë që institucionet kompetente të ndërhyjnë menjëherë, të marrin masat e nevojshme për trajtimin e tij dhe të garantojnë sigurinë e kafshëve, dhe të komunitetit.

Dhuna e vazhdueshme ndaj kafshëve nuk është një fenomen që duhet nënvlerësuar. Ajo është një sinjal serioz alarmi që kërkon reagim të menjëhershëm. Sot viktima janë kafshët e pambrojtura, ndërsa nesër rreziku mund të prekë edhe njerëzit.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe çdo institucioni përgjegjës të ndërhyjnë me urgjencë dhe të marrin masa të menjëhershme për këtë ngjarje të rëndë, e cila, sipas denoncimeve të banorëve, duket se është kthyer në një realitet të përditshëm në Vorë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit