Një sherr mes disa të rinjve është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë, në Tepelenë. Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë momentin kur një grup prej disa personash dhunojnë një të ri në mes të rrugës.
Sipas dëshmisë së qytetarit që filmoi ngjarjen, i riu që shihet duke u goditur është kamarier në një lokal të zonës. Në video duken disa persona që e sulmojnë fizikisht dhe më pas largohen me vrap drejt një automjeti të parkuar, ndërsa shkaqet e konfliktit mbeten ende të paqarta.
Dëshmitari pretendon se përplasja nuk përfundoi me aq. Sipas tij, pas momentit të filmuar, kamarieri ka dëmtuar xhamin e automjetit të grupit, ndërsa disa prej të rinjve kanë hapur bagazhin e makinës, duke krijuar dyshime se mund të merrnin sende të forta ose armë të ftohta për të vijuar konfliktin. Ky informacion bazohet vetëm në dëshminë e qytetarit dhe nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Gjithashtu, sipas të njëjtit dëshmitar, ndërhyrja e qytetarëve që u mblodhën në vendngjarje bëri që situata të mos përshkallëzohej më tej, duke shmangur pasoja edhe më të rënda.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me këtë ngjarje, ndërsa nuk dihen rrethanat dhe motivet që çuan në konflikt.