Mesazh nga një efektiv policie për protestuesit: Më falni! Çdo ditë dua ta heq uniformën e t’ju bashkohem!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.07.2026, 19:22

Një mesazh që pretendohet se është dërguar nga një efektiv i Policisë së Shtetit ka mbërritur pak minuta më parë në redaksinë e JOQ Albania, në një moment kur mijëra qytetarë po marshojnë drejt Kryeministrisë në ditën e 35-të të protestës qytetare.

Bashkë me mesazhin, personi ka dërguar edhe një fotografi të uniformës së tij të policisë, duke shprehur atë që ai e përshkruan si konfliktin e përditshëm mes detyrës dhe bindjeve të tij personale.

Në mesazhin e tij, efektivi kërkon falje në emër të Policisë së Shtetit, thotë se prej 35 ditësh qëndron deri në 15 orë në këmbë në shërbim dhe rrëfen se do të donte t'u bashkohej protestuesve, por nuk e bën për shkak të përgjegjësive familjare, pasi sapo është bërë baba.

Në fund të mesazhit ai ironizon edhe bonusin prej 5 mijë lekësh të rinj që, sipas tij, efektivët kanë marrë sot.

JOQ Albania nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur identitetin e personit që ka dërguar mesazhin, por po e publikon atë siç është përcjellë në redaksi, duke ruajtur anonimatin e dërguesit.

Mesazhi i plotë i efektivit, i përshtatur vetëm në aspektin drejtshkrimor:

"Përshëndetje JOQ, jam një oficer policie në Tiranë.

Sot është dita e 35-të e protestës dhe jam më krenar se kurrë që jam shqiptar.

Gjithsesi, sot shënon ditën e 35-të radhazi që bëjmë deri në 15 orë shërbim në këmbë, duke mbrojtur qeveritarët nga populli që lufton për të ardhmen e këtij vendi.

Ju kërkoj falje të gjithë popullit në emër të Policisë.

Çdo ditë më kaplon dëshira për ta hequr këtë uniformë dhe për t'ju bashkuar juve, o vëllezër. Më kuptoni, sapo jam bërë baba dhe nuk kam nga t'ia mbaj.

Ah, se mos harroj... Sot ishte dita e rrogave dhe përfituam një bonus prej 5 mijë lekësh të rinj.

Liri popullit... Vdekje tradhtarëve."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit