Një situatë e nxehtë politike po ndodh këtë të shtunë, ku Tirana është blinduar nga një protestë masive kombëtare. Edhe pse prej 34 ditësh protestë, krahas thirrjeve për dorëheqjen e Edi Ramës, protestuesit kanë kërkuar edhe largimin e vetë Sali Berishës nga politika, ky i fundit ka deklaruar prerë se demokratët do ta mbështesin me çdo kusht këtë lëvizje qytetare, duke i cilësuar thirrjet kundër tij si të sponsorizuara.
Në këtë protestë ku janë ftuar të bashkohen masivisht edhe shqiptarët e diasporës, Berisha ka lëshuar një paralajmërim të fortë për kryeministrin, duke i kërkuar të mos guxojë të dhunojë qytetarët.
Me një fjalor epik dhe plot tone kërcënuese, lideri i opozitës ka deklaruar se sot qindra mijëra shqiptarë po vërshojnë nga toka, deti dhe ajri drejt kryeqytetit. Ai i ka kujtuar Ramës se nëse i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye, duhet të ikë një minutë e më parë.
Deklarata e Berishës: "Mos të të rrejë mendja se vërtet ti ke falangat e policisë dhe forcën e mjeteve të tyre. Po dije një gjë: historia ka faktuar se fuqinë nukleare e ka sovrani, e ka populli. Dhe mos guxo, mos guxo të tentosh të matesh me popullin. Zemërimi i popullit, hakmarrja e popullit është tashmë e mirënjohur si fuqi nukleare njerëzore."
Berisha ka sqaruar gjithashtu se kërkesat e protestuesve për qeveri teknike dhe shfuqizimin e disa ligjeve janë depozituar si amendamente dhe mocion mosbesimi në Kuvend nga ana e opozitës, por janë bllokuar nga socialistët. Ai ka akuzuar direkt kryetarin e parlamentit dhe Taulant Ballën se refuzojnë t'i fusin këto kërkesa në rend dite. Për këtë arsye, grupi parlamentar i demokratëve ka marrë vendimin ekstrem për të mos u paraqitur në asnjë seancë plenare deri në pranimin e amendamenteve.
Kjo e shtunë, përkon me festën e Pavarësisë së SHBA-ve, por është edhe dita e lindjes së Edi Ramës. Në vend të një urimi, Berisha ka zgjedhur t'i japë një këshillë të prerë dhe një ultimatum kryeministrit:
"Jep dorëheqjen para orës 19:00 në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të zhvillojnë festën më të bukur. Jep dorëheqjen, mos prit të të heqin!"