I shpallur në kërkim për vrasje, arrestohet shqiptari në Greqi

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.07.2026, 16:23

Një 58-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të ndodhur në vitin 1999, është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për Albert Kapllanajn, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.

Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier e ka dënuar Kapllanajn me 14 vite burgim për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vite burg.

Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, kur 58-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta me tre persona, ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tyre. Si pasojë e të shtënave humbi jetën shtetasi me inicialet A.F., ndërsa dy familjarë të tij mbetën të plagosur. Pas arrestimit në Greqi, pritet të vijojnë procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit