Zjarri i rënë mbrëmjen e sotme në malin e Shëngjinit vijon të përhapet, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Sipas informacioneve që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve, por era e fortë po favorizon përhapjen e tyre, duke e bërë ndërhyrjen më të vështirë. Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, po kërkohet edhe ndërhyrje nga ajri me helikopter për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.
Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë flakë të përmasave të mëdha që kanë përfshirë malin, ndërsa tymi dhe flakët janë të dukshme nga një distancë e konsiderueshme.
Ndërkohë, disa banorë kanë ngritur pretendime se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Njëri prej tyre i tha JOQ Albania: "Si çdo vit në Shëngjin, edhe këtë vit po përgatiten tokat për resorte."
Këto janë pretendime të banorëve dhe deri në këto momente nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet që zjarri të jetë vendosur qëllimisht apo të ketë lidhje me ndonjë projekt ndërtimi.
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.