Një ndryshim i madh pritet të ndodhë në stolin e kombëtares së Gjermanisë. Pas paraqitjes zhgënjyese në Kupën e Botës 2026, Julian Nagelsmann nuk do të jetë më trajneri i “Pancerave”, duke i dhënë fund aventurës së tij në krye të përfaqësueses.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, të konfirmuara edhe nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka nisur lëvizjet për të afruar Jurgen Klopp si pasues të Nagelsmannit.
Burimet bëjnë me dije se trajneri 58-vjeçar ka dhënë sinjale pozitive dhe është i gatshëm të dëgjojë projektin e DFB-së, çka e bën atë kandidatin kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares gjermane.
Lajmi ka ngjallur entuziazëm te tifozët, të cilët e shohin Klopp si njeriun e duhur për t'i rikthyer Gjermanisë identitetin dhe suksesin pas disa turneve zhgënjyese në arenën ndërkombëtare.
Bisedimet mes palëve pritet të intensifikohen në ditët në vijim. Nëse arrihet marrëveshja, emërimi i Jurgen Klopp në stolin e Gjermanisë do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme të futbollit europian, duke hapur një kapitull të ri për një prej kombëtareve më të suksesshme në histori.