Nga “shtëpitë e barit” te rikthimi me kamion pas dëbimit: Si 24-vjeçari shqiptar sfidoi autoritetet britanike

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.07.2026, 17:57

Një 24-vjeçar shqiptar do të deportohet sërish nga Mbretëria e Bashkuar, pasi u rikthye ilegalisht në vend pavarësisht se ishte dëbuar më parë për kultivim kanabisi.

Bëhet fjalë për Alfred Verrin, i cili ishte deportuar në nëntor të vitit 2023, pasi u dënua me 20 muaj burg për drejtimin e një shtëpie të përshtatur për kultivimin e kanabisit në Northampton.

Sipas mediave britanike, dy vite më vonë ai hyri përsëri ilegalisht në Britani. Fillimisht udhëtoi me avion nga Shqipëria drejt Irlandës dhe më pas kaloi me traget drejt Anglisë, i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.

Në muajin mars, policia tentoi të ndalonte automjetin që ai drejtonte, pasi dyshohej për përfshirje në veprimtari kriminale. Shoferi nuk iu bind urdhrit të policisë, u largua me shpejtësi, por humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një pemë. Më pas tentoi të arratisej në këmbë, por u kap nga efektivët.

Në gjykatë, Verri pranoi se kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar në shkelje të urdhrit të deportimit, si edhe se kishte drejtuar automjetin pa leje drejtimi dhe pa siguracion.

Gjykata e Northampton e dënoi me 14 muaj burg dhe i ndaloi drejtimin e mjeteve për 12 muaj. Autoritetet britanike kanë bërë me dije se ai do të deportohet përsëri në Shqipëri pasi të ketë vuajtur një të tretën e dënimit.

Sipas dosjes gjyqësore, gjatë arrestimit të tij të parë në vitin 2023, policia zbuloi dhjetëra bimë kanabisi dhe sasi të konsiderueshme lënde narkotike në banesën ku ai punonte si kujdestar i plantacionit. Në atë kohë, mbrojtja kishte pretenduar se ai ishte detyruar të punonte për të shlyer borxhet ndaj personave që e kishin futur ilegalisht në Britani.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit