Një ndërhyrje e forcave "Shqiponja" është regjistruar mbrëmjen e sotme në ambientet e një lokali të njohur në qendër të Tiranës.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë efektivët e policisë duke hyrë në lokal dhe duke shoqëruar një person, identiteti dhe statusi i të cilit nuk dihen ende.
Sipas qytetarëve që kanë dërguar videon, në momentin e ndërhyrjes në lokal ndodheshin familje me fëmijë dhe klientë të tjerë, të cilët u befasuan nga prania e forcave të policisë.
"Ne ishim me fëmijët duke pirë kafe. Nuk e dinim çfarë po ndodhte. Pamë vetëm që policia hyri në lokal dhe shoqëroi një person", tregon një nga dëshmitarët.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk dihen arsyet e shoqërimit të personit, identiteti i tij apo nëse ndërhyrja lidhet me ndonjë operacion të veçantë. Po ashtu, Policia e Shtetit nuk ka publikuar ende një njoftim zyrtar mbi ngjarjen.
JOQ Albania do ta përditësojë lajmin sapo të ketë një reagim zyrtar ose informacione të reja nga autoritetet.