Tragjedi në Itali: U godit nga shtylla teksa punonte, vdes pas katër ditësh në spital 27-vjeçari shqiptar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.07.2026, 17:44

Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një 27-vjeçari shqiptar në Itali. Pas katër ditësh betejë për mbijetesë në spital, Florian Cani ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda që pësoi kur u godit nga një shtyllë druri e telekomunikacionit.

Ngjarja ndodhi më 26 qershor në Via Gorghizzolo, në zonën e Due Carrare, pranë Padovës. I riu, banues në Gemona del Friuli, në provincën e Udines, u godit nga shtylla gjatë punës dhe humbi menjëherë ndjenjat.

Ai u transportua me helikopter drejt spitalit në Padova, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të mjekëve, Florian Cani nuk arriti ta rifitonte kurrë vetëdijen dhe ndërroi jetë më 30 qershor.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën karabinierët e Kompanisë së Abanos dhe inspektorët e SPISAL-it, të cilët kryen verifikimet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Duke komentuar ngjarjen, mediat italiane shkruajnë:

"U kuptua menjëherë se gjendja e tij ishte tepër e rëndë. Viktima e 30 qershorit është një tjetër punëtor që humb jetën në provincën e Padovës gjatë ushtrimit të detyrës. Një tjetër tragjedi që lë pas dhimbje të thellë dhe ngre sërish shqetësimin për sigurinë në vendin e punës. Familja e 27-vjeçarit shpresoi deri në fund për një mrekulli, por ajo, fatkeqësisht, nuk erdhi kurrë."

Për ngjarjen reagoi edhe Roberto Toigo, sekretari i përgjithshëm i UIL Veneto, i cili deklaroi:

"Rajoni i Venetos mban zi për një tjetër vdekje në vendin e punës: pas katër ditësh në spital, punëtori shqiptar i shtypur nga një shtyllë në Due Carrare ka ndërruar jetë. Lista për fat të keq po rritet, në një vit që e ka rikthyer rajonin tonë në zonën e kuqe për aksidente fatale. Shëndeti dhe siguria në vendin e punës duhet të kthehen në plan të parë të debatit publik, me një angazhim kolektiv, ku secili prej nesh ndan pjesën e tij të përgjegjësisë, për të përmbysur këtë trend tragjik."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit