Hetimet paraprake për aksidentin tragjik në autostradën Durrës–Tiranë po e orientojnë ngjarjen drejt një problemi shëndetësor të papritur të drejtuesit të autobusit, i cili dyshohet se ka ndodhur vetëm pak minuta para përplasjes. Sipas grupit hetimor, ka dyshime se shoferi mund të ketë pësuar një kolaps gjatë drejtimit, duke humbur kontrollin mbi mjetin.
Si pasojë, autobusi ka dalë nga trajektorja e tij, është përplasur fillimisht me bordurën mbrojtëse dhe më pas me barrierat metalike të autostradës.
Në vendngjarje nuk janë konstatuar gjurmë frenimi, një element që forcon pistën se drejtuesi nuk ka pasur mundësi të reagojë në momentin kritik. Mjeti ka vijuar lëvizjen deri në korsinë e emergjencës, pa ulje të dukshme të shpejtësisë, çka lidhet me dyshimin për humbje ndjenjash.
Ekspertiza e Policisë Rrugore vlerëson se autobusi po lëvizte me rreth 90 km/orë, shpejtësi brenda kufirit të lejuar në atë segment autostrade. Ndërkohë, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonë, ku shihet se mjeti nuk frenon, ndërsa në një moment – në një imazh jo shumë të qartë – dyshohet se shoferi ka rënë mbi timon, çast që mund të përkojë me humbjen e ndjenjave.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se autobusi nuk ka pasur defekte teknike dhe kishte kaluar kontrollin teknik rreth një muaj më parë. Po ashtu, drejtuesi i tij, 36-vjeçari Redion Hasimi, rezulton pa shkelje të mëparshme në qarkullim dhe me një histori drejtimi të rregullt.