Evropa vijon të dominojë renditjen e pasaportave më të fuqishme në botë për vitin 2026, sipas Indeksit Global të Pasaportave të publikuar nga Global Citizen Solutions. Nëntë nga dhjetë vendet e para janë evropiane, ndërsa Singapori është i vetmi shtet jashtë kontinentit që renditet në “Top 10”.
Ndryshe nga indekse të tjera që matin vetëm numrin e destinacioneve ku mund të udhëtohet pa vizë, kjo renditje merr në konsideratë edhe faktorë si mundësitë për investime, sistemi shëndetësor, siguria, niveli i inovacionit, klima, infrastruktura sociale dhe politika tatimore. Këta elementë përdoren për të vlerësuar jo vetëm lirinë e lëvizjes, por edhe cilësinë e përgjithshme të jetesës që ofron secili shtet.
Në krye të listës qëndron Suedia, e ndjekur nga Zvicra, Finlanda, Gjermania, Holanda, Danimarka, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Singapori. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë shënuar një rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit, duke u renditur të 12-at në vitin 2026, pas rikthimit të disa regjimeve të vizave nga vende partnere.