Një pronar lokali në zonën e Kombinatit, në Tiranë, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një ngjarje që, sipas tij, ndodhi vetëm pak minuta pasi një grua nisi ditën e parë të provës në punë.
Sipas pronarit, gruaja ishte paraqitur në lokal si e interesuar për një vend pune. Ai tregon se, duke qenë se bëhej fjalë vetëm për një ditë prove, nuk i kishte marrë ende kartën e identitetit apo dokumente të tjera, pasi nuk kishte vendosur nëse do ta mbante në punë.
Por, sipas tij, situata mori një kthesë të papritur.
Pronari pretendon se gruaja mori zarfin ku ndodhej xhiroja e turnit të mëparshëm, si edhe paratë që ishin lënë për kameriere si gjendje për kthimin e kusurit.
Sipas materialit filmik të vënë në dispozicion të redaksisë, duket momenti kur gruaja merr një zarf nga banaku. Pronari pretendon se në atë zarf ndodheshin paratë e xhiros së turnit dhe fondi i lënë për kusur.
Ai kërkon që rasti të bëhet publik, duke shpresuar se publikimi i pamjeve mund të ndihmojë në identifikimin e gruas dhe të shërbejë si paralajmërim edhe për biznese të tjera që të tregojnë kujdes gjatë punësimit të personave të panjohur.
Nëse personi i përfshirë në këtë rast dëshiron të japë versionin e tij të ngjarjes, JOQ Albania është e gatshme ta publikojë reagimin e plotë, në respekt të parimit të balancimit të informacionit.