Britani: U kap me kokainë dy javë pas mbërritjes me gomone, dënohet me burg 25-vjeçari shqiptar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.06.2026, 18:56

Një 25-vjeçar shqiptar është dënuar me 16 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike vetëm dy javë pasi kishte mbërritur ilegalisht në vend me gomone.

Bëhet fjalë për Adrian Xhikën, i cili u arrestua më 2 qershor në Kidlington, Oxfordshire. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në makinën që ai drejtonte, u gjetën 21 doza kokaine dhe 10 doza kanabisi, të fshehura brenda dy bombolave të deodorantit, raportojnë mediat britanike.

Në gjykatë, Xhika pranoi fajësinë për posedim me qëllim shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit. Prokuroria bëri me dije se ai ndodhej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte mbërritur në Angli me gomone vetëm dy javë para arrestimit.

Sipas dëshmisë së tij, ai ishte larguar nga Shqipëria që në moshën 15-vjeçare dhe kishte pranuar të shkonte në Britani pasi i ishte premtuar punë nga personat që organizuan kalimin e tij. Ai u tha gjithashtu autoriteteve se dëshironte të kthehej në Shqipëri.

Policia nuk gjeti prova në telefonin e tij që të tregonin aktivitet të organizuar të shpërndarjes së drogës, ndërsa u konfirmua se ai nuk kishte precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar.

Përveç dënimit me 16 muaj burg, gjykata urdhëroi edhe konfiskimin e lëndëve narkotike dhe automjetit me të cilin ai u ndalua.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit