Një banore i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rënduar të infrastrukturës në fshatin Cangonj, duke ngritur shqetësime serioze për mungesën e ndriçimit publik dhe gjendjen e amortizuar të rrugës, e cila sipas saj e bën të pamundur edhe ndërhyrjen e ambulancës në raste emergjente.
Në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë, qytetarja shprehet se familja e saj po përballet prej kohësh me këtë problem, ndërsa situata bëhet edhe më e rëndë pasi vëllai i saj vuan nga probleme të rënda shëndetësore.
"Ju lutem publikojeni, se nuk gjejmë dot anë askund. Nëse doni mund të vini ta shikoni edhe vetë. Kam vëllain 30 vjeç me prapambetje mendore dhe epilepsi të theksuar. Ka raste që na duhet ndihma e doktorit, por nuk vjen asnjë, sepse ambulanca nuk mund të hyjë dot në këtë rrugë të pambarëmbajtur. Ju faleminderit për mirëkuptimin. Shpresoj të bëhet diçka nga ana juaj."
Në videon e dërguar në redaksinë tonë, ajo tregon edhe gjendjen e shtyllave të energjisë elektrike përgjatë rrugës së fshatit, duke pretenduar se instalimi është improvizuar dhe se ndriçimi mungon pothuajse në të gjithë zonën.
"Përshëndetje të gjithëve. Këtë video po e bëj për fshatin Cangonj. Shikoni shtyllat e korrentit. Kjo shtyllë duhet të ndriçojë rrugën, por shikoni çfarë ka vendosur kryeplaku i fshatit. Shtyllës i ka vënë një bidon dhe bidoni është mbushur me ujë. Shikoni, gjithë rruga deri lart nuk ka drita. Kemi bërë shumë herë kërkesë te kryeplaku i fshatit, por nuk është vënë asgjë në lëvizje. Na thonë gjithmonë 'do e bëjmë', por nuk bëhet asgjë. Shikoni edhe shtyllën tjetër, as drita, asgjë. Më thoni, si kalohet këtu natën?"
Sipas banorëve, problemi vazhdon prej kohësh dhe kërkesat e përsëritura drejtuar autoriteteve vendore nuk kanë marrë zgjidhje. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin e rrugës dhe sistemimin e ndriçimit publik, duke theksuar se mungesa e investimeve po rrezikon sigurinë e banorëve dhe vështirëson ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës në raste kur jeta e njerëzve mund të jetë në rrezik.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të reagojnë sa më parë dhe të marrin masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.