Protesta e zhvilluar paraditen e sotme para godinës së Parlamentit, u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa disa qytetarë u shoqëruan gjatë ndërhyrjes së efektivëve.
Në një video të publikuar në rrjet shihet momenti kur një prej protestuesve tërhiqet zvarrë nga disa efektivë policie, pamje që kanë shkaktuar reagime të shumta dhe debat në rrjetet sociale. Sipas raportimeve, gjatë ndërhyrjes pati edhe qytetarë që pretendojnë se u goditën nga forcat e rendit, ndërsa situata u tensionua për disa minuta pranë hyrjeve të Kuvendit.
Protestuesit ishin mbledhur para Parlamentit në kohën kur zhvillohej seanca plenare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e qeverisë dhe ndryshime të thella politike. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë, ndërsa në disa momente pati tentativa për t'iu afruar perimetrit të sigurisë të ngritur nga policia, çka solli edhe përplasjet mes palëve.
Pas incidenteve, disa protestues u shoqëruan me dhunë nga Policia e Shtetit, ndërsa më vonë një pjesë e tyre u lanë të lirë.
Pavarësisht tensioneve të paradites, organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe mbrëmjen e sotme, sipas traditës së krijuar gjatë javëve të fundit, me tubimin e planifikuar para Kryeministrisë dhe marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.