Një histori e dhimbshme familjare ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Fushë-Kruja. Një burrë pretendon se prej rreth një muaji e gjysmë bashkëshortja është larguar nga banesa, duke e lënë vetëm me gjashtë fëmijët e tyre. Sipas tij, ata nuk janë ende të divorcuar, ndërsa gruaja tashmë bashkëjeton me një person tjetër në Tiranë.
Babai tregon se ka bërë dy kallëzime në polici, por deri më tani nuk ka marrë zgjidhje. Ai shprehet se siguron jetesën duke mbledhur kanaçe dhe hekurishte, ndërsa thotë se e ka të pamundur të përballojë i vetëm rritjen e gjashtë fëmijëve.
Situata rëndohet edhe më shumë pasi njëra prej vajzave vuan nga anemia. Sipas familjarëve, ajo ka qenë e shtruar në spital, ka marrë transfuzion gjaku dhe vazhdon të ketë probleme serioze shëndetësore.
Në videon e dërguar në redaksi, babai i drejton një apel publik bashkëshortes:
*"Ish-gruaja ime u largua dhe më la me 6 fëmijë. Kam bërë dy herë ankesë në polici, por më thonë vetëm se është në kërkim. Unë dua prej saj që të vijë e të marrë të paktën tre fëmijët e vegjël, sepse nuk kam mundësi t'i mbaj të gjashtë. Tre më të mëdhenjtë i mbaj unë. Njëra është e sëmurë me anemi dhe po e çoj vazhdimisht në spital. Unë dal mbledh kanaçe dhe hekura për të siguruar jetesën. Nuk po ia dal dot."*
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksi, mes gjashtë fëmijëve ndodhet edhe një foshnjë vetëm 5 muajshe. Gjyshja 75-vjeçare përpiqet të ndihmojë, por për shkak të moshës dhe gjendjes së saj shëndetësore nuk ka mundësi të kujdeset për ta, ndërsa familja po mbështetet edhe nga njerëz bamirës.
JOQ Albania nuk ka mundur të marrë versionin e bashkëshortes lidhur me pretendimet e ngritura nga burri. Redaksia mbetet e hapur për të publikuar edhe qëndrimin e saj.
Duke qenë se bëhet fjalë për gjashtë fëmijë, një prej të cilëve me probleme serioze shëndetësore, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse dhe shërbimeve sociale që të verifikojnë me urgjencë rastin dhe të ndërhyjnë për t'u siguruar që fëmijët të marrin mbështetjen e nevojshme.