Masakër urbane në Pogradec: “Zgjohesh një ditë në geto!”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.06.2026, 19:59

Një denoncim i ri i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania vjen nga qyteti i Pogradecit, ku banorët shprehin zemërimin e tyre për atë që e quajnë "masakër urbane" në një nga zonat më të lakmueshme të qytetit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati të ri, i cili po ngrihet pikërisht në hapësirën e mbetur midis dy pallateve të tjera ekzistuese, duke bllokuar plotësisht një korridor të rëndësishëm kalimi dhe ajrimi.

Në fotot dhe videot e dërguara nga qytetari, shihet qartë karabinaja e ndërtesës së re që po lartësohet në hapësirën e ngushtë mes dy pallateve, duke i lënë dritaret dhe ballkonet e banesave ekzistuese pa dritë dhe pa privatësi. Qytetari denoncues e përshkruan këtë si një "krim urban" dhe akuzon autoritetet lokale për neglizhencë dhe bashkëpunim në këtë projekt që shkatërron cilësinë e jetës së banorëve.

"I vetmi korridor ekzistues drejt liqenit, që shërbente jo vetëm si rrugë kalimi drejt shëtitores por edhe si kanal për ajrin e pastër... u betonizua pa pikë turpi," thotë banori i shqetësuar.

Sipas denoncuesit, ky korridor, në vend që të ishte sistemuar dhe kthyer në një park apo lulishte për fëmijët e zonës apo të moshuarit, tani po kthehet në një mur betoni, duke krijuar një "geto urbane" në mes të një qyteti që njihet për natyrën dhe ajrin e pastër.

Nuk është hera e parë që në Pogradec dëgjohen denoncime të tilla për ndërtime pa kriter, por ky rast ka ngritur vërtet shqetësime, pasi prek drejtpërdrejt banorët e pallateve ekzistuese. Banorët thonë se nuk kanë qenë njoftuar paraprakisht për këtë projekt dhe se nuk kanë pasur mundësi të shprehin mendimin e tyre.

Mesazhi i plotë i qytetarit:

"Përshëndetje JOQ! Doja të denoncoja një masakër urbane në Pogradec. Këtu po ndërtohet një pallat komplet ngjitur me dy pallate të tjera ekzistuese prej vitesh, pa respektuar asnjë normë urbane dhe qytetare. I vetmi korridor ekzistues drejt liqenit, që shërbente jo vetëm si rrugë kalimi drejt shëtitores, por edhe si kanal për ajrin e pastër, në vend që të sistemohej dhe të kthehej në një park apo lulishte për banorët e pallateve, që fëmijët e vegjël të luanin apo të moshuarit të uleshin në stola, u betonizua pa pikë turpi.

Pra, një banor që blen një apartament për ajrin e pastër dhe flladin e liqenit, ngrihet një ditë të bukur në mesin e një “getoje” urbane në mes të Pogradecit. Kjo është e papranueshme dhe makabre. Krim urban në një qytet që dita-ditës po i humb edhe ato pak karakteristika të cilat tërheqin vizitorët dhe banorët, vetëm e vetëm që dikush apo disa individë të përfitojnë nga këto projekte xhungle.

Ju falënderoj nëse e postoni, edhe pse jam i bindur që askush s'e vë ujin në zjarr."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit