Jon Vogëlushi i fal 1.1 MILION € kunatit të Belës, oligarkut në SPAK Arbër Abazit

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 29.06.2026, 19:15

Jonaid Myzyri, në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), duket se ka shpërfillur plotësisht presionin e hetimeve të SPAK, duke vijuar me skemën e njohur të skualifikimit të ofertave më të ulëta për të shpallur fitues oligarkët e preferuar.

Pas përplasjes së fundit ku tenderi për pastrimin e bregdetit iu dha Shkëlqim Fushës, Myzyri ka përsëritur të njëjtin mekanizëm edhe me një tjetër kontratë me vlerë 1.1 milion euro, këtë herë në favor të biznesmenit Arbër Abazi.

Bëhet fjalë për procedurën e pastrimit të zonës bregdetare për bashkitë Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë dhe Pogradec. Në këtë tender, bashkimi i kompanive “GREEN RECYCLING”, “Pastrime Silvio”, “RADA OIL INDUSTRY” dhe “Unieuro sh.p.k” ofroi një çmim 227 milionë lekë më të ulët se fituesi i shpallur.

Pavarësisht kursimit të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit, OBP gjeti arsye për të skualifikuar këtë bashkim operatorësh, si dhe subjektin tjetër “Rej”, duke i hapur rrugën kompanisë “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” të Arbër Abazit. Oferta fituese e Abazit rezultoi të ishte pothuajse e barabartë me tavanin maksimal të vendosur nga institucioni, duke e çuar vlerën e tenderit në 97.2% të fondit limit.

Ky vendim merr përmasa të tjera po të kemi parasysh profilin e Arbër Abazit përballë drejtësisë.

Në janar të këtij viti, SPAK ushtroi kontrolle në banesën dhe zyrat e tij në kuadër të hetimeve për korrupsion me lotet e Unazës së Madhe dhe aferën “Berberi”.

Biznesmeni dyshohet se është pjesë e përgjimeve që zbardhin skema të paracaktimit të fituesve në këmbim të ryshfeteve. Megjithatë, mbështetja nga institucionet publike nuk duket se është lëkundur. Përveç lidhjeve familjare me ish-deputetin socialist Sadri Abazi, ai njihet për raportet e afërta me zv.kryeministren Belinda Balluku si kunati i saj, duke u konsoliduar si një ndër përfituesit kryesorë të fondeve publike në infrastrukturë.

Rasti në fjalë nxjerr në pah një paradoks të frikshëm: si drejtori i OBP-së, Jonaid Myzyri, ashtu edhe përfituesit e tenderave, Arbër Abazi dhe Shkëlqim Fusha, janë zyrtarisht subjekte nën hetim nga SPAK për çështje të prokurimeve publike.

Pavarësisht kësaj, institucioni që duhet të garantonte transparencë dhe konkurrencë, po kthehet në një strukturë që injoron hapur organet e drejtësisë, duke vazhduar të shpërndajë miliona euro nga taksat e shqiptarëve përmes procedurave që duken gjithnjë e më shumë si të paramenduara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit