Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e kësaj të hëne kodrat e Shtërmenit, në bashkinë Cërrik, duke shkaktuar alarm në zonë.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me bimësi, ndërsa për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit është bërë e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve zjarrfikëse.
Në terren ndodhen dhjetëra efektivë zjarrfikës, të mbështetur edhe nga forca të tjera, të cilët po punojnë intensivisht për izolimin e vatrës dhe vënien nën kontroll të flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre drejt zonave të banuara apo sipërfaqeve të tjera të rrezikuara.
Operacioni i shuarjes vijon, ndërsa kushtet atmosferike dhe era në zonë po e vështirësojnë punën e ekipeve në terren.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesa, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe pritet të japin më shumë informacion pas përfundimit të operacionit.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe do të jenë objekt i hetimeve pas neutralizimit të plotë të vatrës.