Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në afërsi të zonës së Varrit të Bamit në Tiranë, ku një taksi ka humbur kontrollin, është përplasur fillimisht me një pemë dhe më pas ka dëmtuar murin rrethues dhe derën e një banese pranë rrugës.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë se automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme në pjesën e përparme, ndërsa në vendngjarje ndodhet edhe ambulanca që ka transportuar të lënduarit.
Sipas dëshmive të banorëve, taksia po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë në një zonë të banuar, ndërsa disa prej tyre pretendojnë se shoferi dyshohet të ketë qenë në gjendje të dehur. Gjithashtu, sipas tyre, pasagjeri ka thyer xhamin e përparmë gjatë përplasjes dhe ka dalë nga automjeti i gjakosur, por me vetëdije, ndërsa shoferi ka mbetur i bllokuar në makinë dhe nuk jepte shenja reagimi.
Banorët shprehen se ky segment rrugor është i rrezikshëm për këmbësorët pasi mungojnë trotuaret dhe aty kalojnë çdo ditë shumë familje me fëmijë. Ata i bëjnë thirrje Bashkisë së Tiranës të ndërhyjë për ndërtimin e një trotuari, duke theksuar se aksidente të tilla mund të përfundojnë edhe më tragjikisht.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar nga policia lidhur me shkaqet e aksidentit apo gjendjen shëndetësore të shoferit dhe pasagjerit. JOQ Albania do të sjellë çdo informacion zyrtar sapo autoritetet të reagojnë.