Gjeli i Himarës del kundër ligjit? Kufizon muzikën pas orës 20:00

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.06.2026, 16:26

Një vendim i miratuar nga Këshilli Bashkiak i Himarës më 12 qershor 2026, me 15 vota pro dhe asnjë votë kundër apo abstenim, po ngjall reagime nga bizneset turistike, pasi vendos kufizime të reja për përdorimin e muzikës në ambiente të hapura.

Sipas legjislacionit aktual në Shqipëri, gjatë sezonit turistik muzika në ambiente të hapura në zonat turistike dhe të banuara lejohet deri në orën 24:00 (00:00), ndërsa pas kësaj ore duhet të respektohen kufijtë e lejuar të ndotjes akustike. Ligji parashikon gjithashtu që bashkitë mund të përcaktojnë zona të veçanta ku muzika mund të lejohet edhe pas mesnatës, për sa kohë ato nuk cenojnë zonat e banuara.

Ndërkohë, vendimi i Bashkisë Himarë përcakton se aktivitetet muzikore në subjektet turistike, bare, restorante, beach-bar, klube nate, ambiente të hapura dhe stacione plazhi lejohen vetëm në fashën orare nga ora 10:00 deri në orën 20:00. Pas këtij orari, muzika mund të përdoret vetëm në nivele minimale, duke respektuar kufijtë maksimalë të zhurmës prej 85 LAeq (dBA) dhe/ose 110 dB LAmax Fast, sipas Udhëzimit të Përbashkët nr. 2, datë 15.11.2023.

Por ky vendim është pritur me shqetësim nga një pjesë e operatorëve turistikë, të cilët argumentojnë se kufizimi i muzikës pas orës 20:00 dëmton aktivitetin ekonomik gjatë sezonit veror dhe bie ndesh me praktikën e deritanishme, sipas së cilës muzika në ambientet e hapura lejohej deri në mesnatë.

Bizneset kërkojnë sqarim nga Bashkia Himarë se si mund të vendosë kufizime më të hershme se ato të parashikuara në rregullat e përgjithshme për sezonin turistik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit