Fadromat dhe kamionët shkatërrojnë shtratin e lumit Valbonë, rrezikohen pushuesit

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 29.06.2026, 14:00

Një situatë shqetësuese është raportuar në lumin Valbona në Tropojë, ku fadroma dhe kamionë janë filmuar duke ndërhyrë në shtratin e lumit dhe duke marrë rërë e zhavorr në mënyrë të pakontrolluar, në një zonë ku në të njëjtën kohë ndodhen edhe pushues.

Sipas mesazhit të një qytetari të dërguar nga terreni, zona ku po kryhen punimet është kthyer në një hapësirë të rrezikshme për qytetarët që frekuentojnë lumin gjatë ditëve të nxehta të verës, përfshirë familje me fëmijë, të rinj dhe të moshuar.

Qytetari shprehet se kjo është e vetmja mundësi pushimi për shumë banorë të Tropojës dhe vizitorë nga Kosova, të cilët zgjedhin lumin si alternativë ndaj mungesës së mundësive për pushime në bregdet. Sipas tij, ndërhyrja në shtratin e lumit po kryhet në mënyrë të pakontrolluar dhe pa asnjë kriter të dukshëm, duke dëmtuar natyrën dhe ekosistemin e zonës.

Në mesazhin e tij, ai thekson se punimet po zhvillohen në praninë e pushuesve, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre për shkak të lëvizjes së kamionëve dhe mjeteve të rënda pranë zonës së larjes.

“Një pjesë e shtratit të lumit po dhunohet në mënyrën më barbare, duke marrë rërën pa asnjë kriter, dhe kjo ndodh ndërkohë që pushuesit janë aty, fëmijë, gra dhe familjarë. Këto pamje mund të ndodhin askund tjetër,” thuhet në mesazh.

Qytetari ngre gjithashtu shqetësimin për mungesë reagimi nga institucionet lokale dhe strukturat e rendit, duke pretenduar se situata mund të jetë toleruar pavarësisht dëmeve të dukshme në mjedis dhe rrezikut për qytetarët.

Ai i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë për të ndalur aktivitetin dhe për të verifikuar nëse ndërhyrjet në shtratin e lumit janë të ligjshme, si dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve në zonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit