Shqiptari nga Suedia denoncon zyrtarë të policisë, prokurorisë, IMT-së, IKMT-së dhe ASHK-së

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.06.2026, 00:09

Një shqiptar që jeton prej më shumë se një dekade në Suedi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim të gjerë ndaj disa institucioneve shtetërore dhe zyrtarëve publikë, duke pretenduar se prej vitesh përballet me shkelje ligjore që lidhen me pronën e familjes së tij dhe me procedimet penale të ngritura ndaj tij.

Aurel Vogli thotë se ka dërguar në redaksinë tonë një dosje të plotë me dokumente zyrtare, shkresa, procesverbale dhe materiale të tjera, të cilat, sipas tij, mbështesin çdo pretendim të ngritur. JOQ Albania disponon të gjithë dokumentacionin e përcjellë nga denoncuesi, i cili përfshin dhjetëra dokumente zyrtare, procesverbale, përgjigje institucionale dhe materiale të tjera. Për shkak të volumit të konsiderueshëm të tyre, nuk është e mundur publikimi i plotë në këtë artikull apo në videon shoqëruese.

Në denoncimin e tij, Vogli pretendon se është arrestuar në mënyrë të padrejtë në vitin 2023, pasi kishte bërë kallëzime për problemet pronësore të prindërve të tij. Sipas tij, ai është mbajtur 96 orë në paraburgim, më pas ka qenë për një vit nën masën "detyrim paraqitjeje" dhe për rreth dy vite nën hetim.

Ai pretendon gjithashtu se gjatë ndalimit i janë sekuestruar sende personale me një vlerë që, sipas tij, kalon 5 mijë euro, përfshirë telefon, orë dhe aksesorë të tjerë, të cilët, sipas pretendimeve të tij, nuk janë pasqyruar në procesverbalin e sekuestrimit dhe nuk i janë kthyer ende, ndonëse ai thotë se procesi gjyqësor ka përfunduar që në muajin shkurt të këtij viti.

Në mesazhin drejtuar JOQ Albania, ai ngre akuza dhe kërkon verifikim institucional ndaj disa zyrtarëve dhe institucioneve, konkretisht:

* Oficerit të Policisë Gjyqësore Orlando Zyberi dhe efektivëve të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, për mënyrën e arrestimit dhe administrimin e sendeve personale. * Inspektorit të IMT-së së Bashkisë Tiranë, Tomor Beqiri, për atë që ai e cilëson bashkëpunim me subjektin e kallëzuar prej tij dhe hartim të procesverbaleve të pavërteta. * Drejtorit të IKMT Tiranë, Ylli Shehu, dhe Kryeinspektorit të IMT-së, Herion Rrapaj, për hartim të dokumenteve që ai pretendon se nuk përputhen me faktet. * Prokurores Anisa Qilimi, për mënyrën e regjistrimit dhe hetimit të procedimit penal ndaj tij. * Ish-nënkryetarit të ASHK-së Tirana Jug, Indrit Osmani, dhe drejtorit aktual Fladi Dano, për zvarritjen, sipas tij, prej vitesh të pajisjes së pronës së prindërve të tij me certifikatë pronësie. * Kryeprokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, pasi pretendon se kallëzimet e tij nuk janë hetuar.

Sipas Aurel Voglit, prindërit e tij, të cilët janë mbi 73 vjeç, vijojnë të mos përfitojnë dokumentacionin përfundimtar të pronës, ndonëse, sipas tij, disponojnë dokumente pronësie dhe kanë kryer më shumë se 12 aplikime pranë ASHK-së. Ai pretendon se përgjigjet e marra ndër vite kanë qenë kontradiktore dhe se nuk është dhënë një vendim përfundimtar për çështjen.

Në dokumentacionin që ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania, denoncuesi pretendon gjithashtu se disponon materiale që, sipas tij, tregojnë mospërputhje në procesverbalet e hartuara nga institucione të ndryshme, dokumente që lidhen me pronësinë, vendndodhjen e pronës, procesverbalet e inspektimeve, si edhe të dhëna që, sipas tij, bien në kundërshtim me veprimet administrative dhe procedurat penale të ndjekura ndaj tij.

Sipas denoncuesit, pjesë e dokumentacionit janë edhe të dhëna nga sistemi TIMS, vulat hyrje-daljeje në pasaportë, dokumente të procedimit penal, akte pronësie, deklarata të personave të përfshirë në çështje, si dhe procesverbale administrative, të cilat, sipas tij, bien në kundërshtim me disa nga aktet e hartuara nga institucionet që ai denoncon. Ai pretendon se këto materiale provojnë mospërputhje mes dokumenteve zyrtare dhe veprimeve të ndërmarra ndaj tij.

Në videon e dërguar në redaksi, Aurel Vogli deklaron se të gjitha pretendimet e ngritura prej tij i ka kallëzuar edhe në SPAK, por sipas tij, dosjet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës dhe nuk kanë marrë hetimin që ai e konsideron të nevojshëm.

Mesazhi i plotë i denoncuesit:

"Përshëndetje,

Kam një seri denoncimesh të dokumentuara që lidhen me shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh zyrtare, shkelje proceduriale dhe pengim të drejtësisë nga disa institucione shtetërore. Për secilën çështje disponoj prova shkresore, dokumente zyrtare dhe fakte që mbështesin pretendimet e mia.

Dua të denoncoj:

1. Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, në veçanti Oficerin e Policisë Gjyqësore Orlando Zyberi dhe efektivët e policisë që më arrestuan në mënyrë të padrejtë. Gjatë arrestimit më janë sekuestruar sende personale me vlerë mbi 5.000 euro, të cilat nuk janë pasqyruar në procesverbalin e sekuestrimit.

2. Inspektorin e IMT-së së Bashkisë Tiranë, Tomor Beqiri, për bashkëpunim me subjektin që unë kam kallëzuar, si dhe për hartimin e procesverbaleve të rreme dhe marrjen e vendimeve administrative në kundërshtim me ligjin.

3. Drejtorin e IKMT Tiranë, Ylli Shehu, i cili ka hartuar procesverbale të rreme dhe i ka paraqitur ato në Komisariatin Nr. 1 të Policisë në Tiranë për t'u përdorur në hapjen e procedimit penal nr. 7114 ndaj meje.

4. Kryeinspektorin e IMT-së së Bashkisë Tiranë, Herion Rrapaj, i cili ka vepruar në të njëjtën mënyrë, duke hartuar procesverbale të pavërteta.

5. Prokuroren Anisa Qilimi, e cila ka regjistruar procedimin penal nr. 7114 duke u mbështetur në procesverbale dhe deklarime të rreme, si dhe ka kryer disa shkelje të rënda proceduriale gjatë hetimit.

6. Dy zyrtarë të ASHK-së, Dega Tirana Jug, ish-nënkryetarin Indrit Osmani dhe drejtorin aktual Fladi Dano, të cilët prej vitesh pengojnë pajisjen e pronës së prindërve të mi me certifikatë pronësie. Prona disponon Vërtetim Pronësie Hipotekor, por pas më shumë se 12 aplikimeve, ASHK ka dhënë përgjigje kontradiktore pa marrë një vendim përfundimtar. Prindërit e mi, mbi 73 vjeç, vazhdojnë të mbeten pa mundësi të gëzojnë të drejtën e pronës së tyre.

7. Kryeprokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, pasi asnjë nga kallëzimet e mia penale nuk është hetuar, megjithëse janë të mbështetura me prova dhe dokumente zyrtare.

Për secilën nga këto çështje disponoj prova të pakundërshtueshme dhe jam i gatshëm t'jua vë në dispozicion për verifikim."

JOQ Albania nuk merr përsipër të vërtetojë pretendimet e denoncuesit, por i publikon ato në interes publik, duke qenë se janë shoqëruar me dokumentacion mbështetës. Redaksia mbetet e hapur për çdo reagim apo sqarim nga institucionet dhe personat e përmendur në këtë denoncim, me qëllim pasqyrimin e plotë dhe të balancuar të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit