Një incident është shënuar pak minuta më parë para Kryeministrisë në Tiranë, ku policia ka larguar me forcë qytetarët që kishin kaluar natën përpara godinës qeveritare. Pas ndërhyrjes, efektivët kanë larguar edhe këpucët e vendosura në shkallët e Kryeministrisë, të cilat simbolizonin largimin e të rinjve nga vendi si pasojë e emigracionit, veprim që ka sjellë reagime nga ana e protestuesve.
Qytetarët kanë kundërshtuar heqjen e këpucëve, duke e konsideruar atë si pjesë të një simbolike proteste dhe shprehjeje publike. “Mos i prekni këpucët, kjo është vjedhje e vullnetit popullor. Mos i ngacmoni veprat artistike të vendosura nga populli. Ky është territor publik”, është dëgjuar të deklarojë një protestues përmes megafonit.
Sot pritet të zhvillohet protesta e 29-të në kryeqytet, ku qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit pritet të mblidhen në Tiranë. Protesta, e cila nisi fillimisht si reagim ndaj ngjarjeve në Zvërnec, më pas është zgjeruar në kërkesa politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese, me pjesëmarrjen e grupeve të ndryshme shoqërore.