“Polici na ka zënë rrugën e fshatit me portë hekuri, 20 familje kanë mbetur të izoluara”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.06.2026, 22:08

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorë të fshatit Përbeg, në Kukës, të cilët pretendojnë se prej rreth gjashtë muajsh një rrugë e vjetër e fshatit është bllokuar me një portë hekuri, duke ua bërë të pamundur kalimin drejt tokave dhe kullotave të tyre.

Sipas denoncuesit, rruga përdorej prej vitesh nga banorët për të shkuar me automjete, për të dërguar bagëtitë në kullotë, për të punuar tokat bujqësore, si edhe për t'u lidhur me daljen drejt autostradës që ndodhet në zonën malore.

Banori pretendon se porta është vendosur nga një bashkëfshatar, i identifikuar me inicialet H.H., i cili, sipas tij, është punonjës policie. Ai shprehet se personi nuk u ka dhënë asnjë shpjegim për bllokimin e rrugës dhe u thotë vetëm: "Këtu nuk kaloni."

Më tej, denoncuesi pretendon se, megjithëse rasti është raportuar në polici, deri më tani nuk është marrë asnjë masë. Sipas tij, arsyeja është se personi në fjalë punon vetë në radhët e Policisë së Shtetit dhe gëzon mbështetje, pretendim të cilin JOQ Albania nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur.

"Na ka mbetur ara në mal dhe nuk shkojmë dot. Nuk nxjerrim dot as lopët e bagëtitë në kullotë. Kemi mbetur pa rrugë. Janë rreth 20 familje që preken nga kjo situatë", shprehet qytetari në mesazhin drejtuar redaksisë.

Fotoja e dërguar në redaksi tregojnë një portë metalike të vendosur përgjatë rrugës, ndërsa banorët këmbëngulin se ajo ka bllokuar kalimin e lirë që përdorej prej komunitetit.

JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit, Bashkisë Kukës dhe institucioneve përgjegjëse të verifikojnë këtë denoncim dhe të sqarojnë nëse rruga është pronë publike apo private, si dhe nëse bllokimi i saj është bërë në përputhje me ligjin. Nëse pretendimet e banorëve rezultojnë të vërteta, është e papranueshme që dhjetëra familje të mbeten të izoluara dhe pa akses në tokat e tyre për muaj me radhë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit