Të bësh analistin në Shqipëri është profesioni më i rehatshëm, por të bësh avokatin e qeverisë natë për natë nëpër studio kërkon një stomak prej betoni që nuk ndjen as turp e as skrupuj. Në krye të këtij misioni është vetëshpallur Anri Bala, njeriu që ka marrë përsipër t’u mbushë mendjen shqiptarëve që shteti është flori, ndërsa fajin për çdo hall e kemi vetë ne që guxojmë e ankohemi.
Po t'i shikosh me vëmendje shkrimet dhe komentet e tij nëpër ekrane, Anri ngjan fiks si ata që hanë sufllaqe me dy duar: lëndën e parë, patatet e skuqura dhe majonezën e thartë i merr gati nga PD-ja për të bërë zhurmë e për të pasur çfarë të përtypë, ndërsa mishin e vërtetë dhe sallamin e majmë ia shton nga ana e PS-së për t'i dhënë shijen e ëmbël të pushtetit. Përveç debateve televizive, Anri Bala ka dhe nje portal periferik me zyra ne bodrumet e Rilindjes. Pikërisht nga ajo hapësirë pa dritë, ai prodhon lajme me porosi për të mbrojtur qeverinë, qoftë edhe duke nxjerrë teoritë konspirative më qesharake të shekullit.
Kur qytetarët dalin në protestë për bukën e gojës, Anri nuk merret me hallet e njerëzve, por thotë se "këta ndezin molotova, po nuk ndezin frymë". Sipas logjikës së tij, qeveria s’ka pse t’u japë drita, ujë apo rrogë shqiptarëve, për sa kohë që opozita nuk po u jep dot frymë artificiale!
Por gallata e vërtetë fillon kur dikush guxon dhe bërtet para Kryeministrisë. Kur ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, doli në shesh për të udhëhequr një protestë, Anrit i rrodhi truri nga paniku dhe zbuloi bombën: e shpalli Goxhajn si "zëdhënës të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri". Sipas tij, kushdo që ankohet për qeverisjen tonë apo kritikon politikat e jashtme, na qenka automatikisht agjent sekret i Teheranit me çallmë në kokë. I bëri njerëzit e thjeshtë që kërkojnë të drejtat e tyre si "sorra e korba të shqiptarisë së rreme", ndërsa veten e nxori si pëllumb të paqeve qeveritare.
Aty ku Anrit i pëlset shpirti dhe i mbushen sytë me lotë është kur kapet ndonjë zyrtar i madh i rilindjes apo ndonjë kryebashkiak që ka ngatërruar xhepin e vet me buxhetin e shtetit. Atje Anri preket rëndë në ndjenja për "të drejtat e njeriut". Del e bërtet se në këtë vend "të vënë prangat e të quajnë fajtor pa të gjykuar", duke qarë hallin e zyrtarit të gjorë që po stresohet në qeli. Është vërtet gjynah i madh të shikosh një analist që dëshpërohet më shumë për gjendjen emocionale të hajdutit sesa për milionat e eurove tona që fluturojnë në drejtim të paditur.
Në fund, kur lodhet duke mbrojtur tenderat, duke pastruar fytyrat e pushtetarëve dhe duke gjetur spiunë iranianë nëpër bulevard, Anri e mbyll muhabetin e Europës shkurt e pastër: "Shqipëria thjesht nuk e meriton BE-në". Dhe me thënë të drejtën, pse na duhet Europa? Ne kemi një qeveri të përsosur dhe një Anri që na shpjegon lumturinë çdo darkë. Europa vetëm sa do na prishte punë me ato ligjet e veta të mërzitshme që të fusin në burg po vodhe!
Rroftë Anri Bala që na tregon përditë që zyrtarët janë engjëj pa krahë, populli është plot me spiunë të huaj, dhe se sufllaqja politike shijon më shumë kur e kafshon njëherë nga e majta e njëherë nga e djathta!
![]()