Shtëpitë zhduken mes tymi, pluhuri i guroreve helmon banorët e Dimalit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.06.2026, 17:09

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e zonës së Dimalit (Ura Vajgurore), të cilët thonë se prej kohësh po jetojnë mes reve të pluhurit të shkaktuara nga aktiviteti i guroreve në fshatin Pashalli dhe Konezbalt.

Sipas qytetarëve, situata është bërë e padurueshme. Sa herë që guroret janë në punë, një re e dendur pluhuri mbulon banesat, oborret dhe gjithçka përreth. Ata shprehen se nuk mund të hapin dritaret, nuk mund të qëndrojnë jashtë dhe se ajri që thithin çdo ditë është kthyer në një rrezik serioz, sidomos për fëmijët.

"Na mori jetën tymi. Nuk rrihet as jashtë e as brenda në shtëpi. Jemi mbytur nga pluhuri dhe më keq e kanë fëmijët," shprehet qytetari që ka dërguar videon në redaksinë tonë.

Banorët pyesin me të drejtë: ku janë institucionet që duhet të kontrollojnë nëse këto aktivitete respektojnë normat mjedisore? Kush monitoron ndotjen që po u imponohet banorëve çdo ditë? A duhet të presin derisa pasojat në shëndet të bëhen të pakthyeshme që dikush të reagojë?

Askush nuk është kundër aktivitetit ekonomik, por ai nuk mund të zhvillohet duke sakrifikuar shëndetin e njerëzve. E drejta për të punuar nuk mund të jetë më e madhe se e drejta e qytetarëve për të marrë frymë lirshëm.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për të verifikuar situatën dhe për të marrë masa konkrete, në mënyrë që pluhuri i guroreve të mos vazhdojë t'u hyjë në shtëpi dhe në mushkëri çdo ditë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit