Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga plazhi publik i Kepit të Rodonit, një nga perlat më të bukura të bregdetit shqiptar, i cili po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një vendgrumbullim mbetjesh për shkak të papërgjegjshmërisë së pushuesve.
Sipas qytetarit, shumë persona shkojnë, ngrenë çadrat, kalojnë ditën në plazh dhe, kur largohen, i lënë të gjitha mbeturinat aty ku kanë qëndruar. Shishe plastike, qese, mbetje ushqimore dhe lloje të tjera plehrash mbulojnë rërën, duke e shkatërruar pamjen e një prej destinacioneve më të bukura natyrore në vend.
Situata është përkeqësuar edhe nga temperaturat e larta. Plehrat kanë tërhequr grerëza dhe insekte të tjera, duke e bërë qëndrimin në plazh të pakëndshëm dhe duke krijuar rrezik për pushuesit.
Qytetari shpreh indinjatën që një perlë si Kepi i Rodonit po trajtohet me kaq pak përgjegjësi nga vetë ata që shkojnë për ta shijuar.
Mesazhi i qytetarit:
"Plazhi publik i Kepit të Rodonit. Ngrenë çadrat dhe kur ikin, i lënë plehrat aty. Është mbushur plot me grerëza. Kjo perlë është kthyer mes plehrash."