Blerjet online jo rrallëherë përfundojnë në zhgënjim, pasi produktet që reklamohen në internet shpesh nuk përputhen me ato që u dorëzohen klientëve, qoftë për modelin, qoftë për cilësinë.
Po ashtu, nuk mungojnë rastet kur dyqanet online refuzojnë të pranojnë kthimin ose zëvendësimin e produkteve, edhe kur konsumatorët thonë se malli i marrë nuk është ai që është porositur apo reklamuar.
Për të denoncuar një rast të tillë, një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë. Ai ka treguar se pak ditë më parë ka porositur një palë shapka nga një dyqan online, por në adresën e tij ka mbërritur një model krejtësisht tjetër nga ai që kishte zgjedhur.
Ai thotë se, pavarësisht kërkesës për zëvendësimin e produktit, faqja online ka refuzuar ta pranojë ‘gabimin’ dhe marrë përgjegjësi për situatën.
Qytetari shprehet gjithashtu se është përballur me një komunikim të papërshtatshëm nga ana e përfaqësuesve të dyqanit.
Ai kërkon që rasti i tij të bëhet publik, me qëllim që konsumatorët e tjerë të tregohen të kujdesshëm gjatë blerjeve online.
