Blendi “u lidh gonxhen” në fyt të gjithëve: Plazhet publike bëhen me pagesë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.06.2026, 21:18

Pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka prezantuar disa vendime të rëndësishme që prekin menaxhimin e sezonit turistik, ku spikat risia e plazheve publike me pagesë të menaxhuara nga bashkitë.

Gonxhja bëri të ditur se në disa zona, kryesisht në jug të vendit dhe në Ksamil, tarifat për këto plazhe publike që ofrojnë shërbime të plota do të shkojnë nga 700 deri në 1000 lekë të reja.

Menaxhimi i ri dhe rregullimi i tregut

Sipas ministrit, ky hap vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me një fluks rekord vizitorësh. Futja e kësaj tipologjie të re synon të shërbejë si një rregullator çmimesh përballë operatorëve privatë.

"Kemi një risi të rëndësishme sivjet, përsa i takon menaxhimit të stacioneve të plazheve, për të bërë të mundur që të kemi një rregullator në treg përsa i takon çmimeve dhe tarifave," u shpreh Gonxhja.

Pse ndryshojnë çmimet?

Ministri sqaroi se tarifat ndryshojnë në varësi të pozicionit gjeografik dhe kostove specifike që ka çdo bashki për mirëmbajtjen. Zonat e jugut, sipas tij, mbartin shpenzime shumë më të larta se pjesa tjetër e bregdetit.

  • Shërbimet e përfshira: Çadra, shezlongë dhe dushe të siguruara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

  • Kostot e dimrit: Mirëmbajtja e rërës dhe mbrojtja e plazheve nga erozioni apo ndikimi i detit jashtë sezonit.

  • Kërkesa e lartë: Ksamili dhe jugu mbeten zonat me fluksin dhe koston më të madhe të operimit.

Konkurrenca me privatin

Në fund të fjalës së tij, Gonxhja nënvizoi se ky model i ri ka dhënë tashmë efektet e para pozitive në treg. Prania e plazheve publike të mirëorganizuara nga bashkitë ka detyruar edhe subjektet private që të vetëpërmbahen dhe të ruajnë tavanet e çmimeve, si pasojë e konkurrencës së drejtpërdrejtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit