Një nga perlat më të rralla të bregdetit shqiptar, Gjiri i Gjipesë, i renditur ndër vendet më të bukura në botë për natyrën e tij të paprekur, po humbet çdo ditë e më shumë identitetin. Aty ku dikur vizitorët shkonin për qetësinë dhe natyrën e egër, sot i pret një panoramë me rreshta shezlongësh dhe çadrash plazhi.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania kanë ngritur revoltën e qytetarëve, të cilët pyesin me të drejtë: si u lejua që një nga gjiret më ikonike të Shqipërisë të mbushej me struktura private?
Nën drejtimin e Bashkisë Himarë, me në krye Vangjel Tavon, një tjetër copë e vijës bregdetare po i dorëzohet biznesit, ndërsa hapësirat publike ngushtohen dita-ditës. Gjipeja, që për vite me radhë ka qenë simbol i turizmit natyror, po humbet identitetin përballë oreksit për fitim.
Ajo që dikur reklamohej si një nga destinacionet më të veçanta të vendit, sot rrezikon të kthehet në një tjetër plazh të mbushur me shezlongë, ku natyra zëvendësohet nga biznesi dhe interesi ekonomik.
Bashkia Himarë duket se ka zgjedhur të heshtë përballë këtij transformimi, ndërsa një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë po humbet karakterin e saj unik. Në vend që të mbrojë bregdetin, administrata e Vangjel Tavos po lejon që edhe Gjipeja të ndjekë të njëjtin fat si shumë plazhe të tjera, ku betoni, privatizimi dhe komercializimi kanë zëvendësuar natyrën.