Një çift shqiptar është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi autoritetet zbuluan në banesën e tyre në Birmingham rreth 9 kilogramë kanabis të paketuar dhe 51,450 paund para të gatshme të fshehura në vende të ndryshme të shtëpisë. Kristian Lleshi, 35 vjeç, u dënua me 2 vjet e 2 muaj burg, ndërsa Xhulijana Trimi, 29 vjeç, mori një dënim prej 18 muajsh burg. Të dy pranuan akuzat për posedim kanabisi me qëllim furnizimin dhe pastrim parash.
Gjatë kontrollit të banesës, hetuesit gjetën shtatë kilogramë kanabis në papafingo, të paketuar në qese vakumi, si dhe dy kilogramë të tjerë në një qese pranë shkallëve. Po ashtu, u sekuestruan 51,450 paund cash të fshehura në portofolë, çanta, komodina, një enë proteinash, dollapë dhe nën shtrat. Autoritetet konfiskuan gjithashtu bizhuteri ari, çanta dhe këpucë luksoze. Trimi mohoi dijeninë për drogën dhe paratë, duke pretenduar se artikujt me vlerë i kishte blerë të përdorur në eBay dhe Vinted, por hetimet zbuluan postime në Facebook që tregonin se çifti kishte qenë në lidhje që prej vitit 2023, si dhe fatura blerjesh me para në dorë nga Selfridges.
Operacioni policor çoi edhe në zbulimin e një ferme kanabisi në Dudley, ku u sekuestruan dhe u shkatërruan bimë me vlerë rreth 78 mijë paund. Një person tjetër i gjetur në banesë rezultoi shkelës i ligjit për emigracionin dhe iu referua autoriteteve përkatëse. Lleshi dhe Trimi u shpallën fajtorë në Gjykatën e Kurorës në Birmingham, ndërsa hetimet për lidhjen e tyre me fermën e kanabisit vijojnë.