Helmimi i 64 kursantëve në Akademinë e Sigurisë ka nxjerrë sërish në pah një skemë të njohur tashmë: reagime të vonuara, shpjegime të paqarta dhe një zinxhir institucionesh që duket se funksionon më shumë në letër sesa në terren.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në vend që të japë një përgjegjësi të prerë dhe një analizë të qartë për një ngjarje që prek drejtpërdrejt shëndetin e dhjetëra të rinjve, ka zgjedhur formulën klasike të shtyrjes së kohës: “prisni analizat”. Një refren që në Shqipëri është kthyer pothuajse në standard sa herë ndodh një incident që kërkon llogaridhënie të menjëhershme.
Në këtë kontekst, duket se ministri i ka dalë në mbrojtje Nikolin Nikoriqit, i cili lidhet me menaxhimin e ushqimit dhe funksionimin e kuzhinës në institucion. Megjithatë, në vend që të ketë qartësim të plotë dhe transparencë mbi rolin e tij dhe të gjithë zinxhirit përgjegjës, situata është mbuluar nga heshtja institucionale dhe pritja e analizave që mesiguri edhe këtë herë do të dalin në favor të Nikoqirit.
Në rastin e parë, ministri deklaron se nuk bëhej fjalë për helmim nga ushqimi, por për “mungesë higjiene”. Një shpjegim që, në vend se të qartësojë situatën, ngre edhe më shumë pikëpyetje: si është e mundur që një institucion si Akademia e Sigurisë të përballet me kushte elementare higjienike deri në atë pikë sa të rrezikojë shëndetin e kursantëve?
Ndërkohë, për rastin e dytë, sërish e njëjta skemë: pritje analizash, hetime në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese dhe një apel për durim publik. Por durimi i publikut duket se po testohet më shumë se vetë ushqimi apo kushtet në institucione.
“Do të presim rezultatet e analizave… për të përcaktuar shkakun dhe për të identifikuar problematikën,” u shpreh ministri, një fjali që në situata të tilla tingëllon më shumë si shmangie përgjegjësie sesa si garanci institucionale.
Në fund, topi i përgjegjësisë kalon nga një institucion te tjetri: AKU, strukturat në varësi, laboratorët, analizat, raportet. Por askush nuk jep një përgjigje të thjeshtë për pyetjen thelbësore: si është e mundur që brenda një institucioni shtetëror, 64 kursantë përfundojnë me simptoma helmimi, dhe ende nuk ka një shkak të qartë publikisht të pranuar?