Kërkohet Mand Lilo! Kanë kaluar tre muaj dhe rindërtimi i pallatit nuk ka nisur, banorët mbeten rrugëve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 26.06.2026, 13:09

Kanë kaluar gati tre muaj nga zjarri që shkatërroi pallatin e ndërtuar nga Mand Lilo përballë QSUT-së, por për dhjetëra familje makthi nuk ka marrë fund. Godina që u përfshi nga flakët dhe u dogj me një shpejtësi tronditëse vazhdon të qëndrojë pa një zgjidhje konkrete, ndërsa banorët mbeten ende pa shtëpitë e tyre.

Pas skandalit që shkaktoi ngjarja, kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se rindërtimi i pallatit do të realizohej nga firma ndërtuese Arlis Construction. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar afro tre muaj, ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për rikuperimin e dëmeve dhe puna për rikthimin e godinës nuk ka nisur.

Ndërkohë, familjet që investuan kursimet e një jete për të blerë një apartament vazhdojnë të jetojnë në pasiguri, duke pritur që premtimet e bëra të kthehen në vepra. Për ta, zjarri nuk u mori vetëm banesën, por edhe qetësinë, sigurinë dhe mundin e shumë viteve.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur, ndërsa banorët vazhdojnë të presin një zgjidhje, Mand Lilo vijon aktivitetin e tij në sektorin e ndërtimit. Teksa firmat e tij marrin projekte të reja dhe apartamentet shiten me çmime të larta, dhjetëra familje ende nuk dinë se kur do të rikthehen në banesat e tyre.

Kur digjet investimi i jetës së qytetarëve, përgjegjësia nuk mund të mbarojë me një deklaratë për mediat. Kanë kaluar muaj dhe pallati vazhdon të jetë simbol i një premtimi të pambajtur, ndërsa banorët vazhdojnë të paguajnë çmimin e neglizhencës. Për ta, koha ka ndalur në ditën kur flakët shkrumbuan gjithçka.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit