GJKKO ka shpallur fajtor Plaurent Dervishajn për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, duke e dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa për Julian Meçen është caktuar dënimi me 35 vite heqje lirie.
Vendimi u dha nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 1 nëntor 2019, ku humbi jetën shoferi Andi Maloku, ndërsa mbetën të plagosur ish-prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”.
Dënimet e dhëna nga GJKKO përputhen me kërkesën e SPAK, i cili akuzoi Dervishajn si organizator të atentatit dhe Julian Meçen si një nga personat që morën pjesë në ekzekutimin e sulmit me armë zjarri. Sipas organit të akuzës, atentati u krye në bashkëpunim me disa persona të tjerë, mes tyre Bledar Polovina, Amar Shkëmbi alias Dritan, Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, për të cilët procesi gjyqësor vijon në një dosje të ndarë.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe u arrestuan në Dubai dhe u ekstraduan në Shqipëri në gusht të vitit 2024 për t’u përballur me drejtësinë shqiptare. SPAK arriti të zbardhë ngjarjen pas analizimit të komunikimeve të siguruara nga aplikacioni i koduar SKY ECC, i përdorur gjerësisht nga grupet kriminale.