Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në kryqëzimin e rrugëve “Onhezmi” dhe “Skënderbeu” në Sarandë, ku një automjet tip "Mercedes-Benz" ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierën mbrojtëse. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i mjetit, një shtetas francez, ka humbur kontrollin e automjetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Pavarësisht përplasjes së fortë, nga aksidenti nuk pati persona të lënduar. Drejtuesi i automjetit ka shpëtuar pa dëmtime, ndërsa mjeti ka pësuar dëmtime në pjesën e përparme si pasojë e goditjes me barrierën anësore të rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore të Sarandës, të cilat kryen testin e alkoolit ndaj drejtuesit të automjetit. Rezultati ishte 0.00 mg/l, duke konfirmuar se ai nuk kishte konsumuar alkool. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit dhe rrethanat e plota të aksidentit.