Ka shkuar në 64 numri i studentëve të Akademisë së Sigurisë që dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të furnizuar me katering nga kompania SORI-AL. Pas 60 kursantëve të parë, edhe 4 studentë të tjerë janë paraqitur në urgjencë me të njëjtat simptoma gjatë pasdites së djeshme. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërsa dosja e këtij rasti pritet të bashkohet me hetimin për helmimin e ngjashëm të ndodhur në fillim të muajit maj.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njoftoi se ka kryer kontrolle në subjektin SORI-AL e Nikolin Jakës, i cili ofron shërbimin e kateringut në Akademinë e Sigurisë në Sauk dhe në Garnizonin "Skënderbej". Sipas AKU-së, gjatë inspektimeve u konstatua se aktiviteti zhvillohej në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe me dokumentacion të rregullt. Megjithatë, u morën 14 mostra ushqimore 7 nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës të datës 24 qershor 2026 – si edhe 5 mostra tampon për kontrollin e higjienës së ambienteve dhe pajisjeve, të cilat janë dërguar për analizë pranë ISUV. Deri në përfundimin e analizave laboratorike, AKU ka urdhëruar ndërprerjen e aktivitetit në ambientet e Garnizonit "Skënderbej".
Hetimet janë shtrirë edhe ndaj vetë AKU-së me drejtuese Blerina Gjylametin për të verifikuar nëse institucioni ka kryer kontrollet e nevojshme pas rikthimit të aktivitetit të kompanisë SORI-AL në Akademinë e Sigurisë gjatë dy muajve të fundit. Po ashtu, gjatë ditës pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, Alma Tafani, e cila që prej helmimit të parë po hetohet penalisht në gjendje të lirë. Grupi hetimor mbetet në pritje të përgjigjeve të analizave mikrobiologjike, të cilat pritet të përcaktojnë shkakun e helmimit të 64 studentëve.