Afera “5D”, GJKKO lehtëson masën për ish-drejtorin e besuar të Veliajt

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.06.2026, 10:23

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tushe, duke zëvendësuar "arrestin në shtëpi" me masën "detyrim paraqitje". Tushe është një nga të pandehurit në dosjen e njohur si afera "5D", ku nën hetim janë edhe ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Sipas SPAK, Taulant Tushe, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), së bashku me Enton Punavijan, Julian Zanajn dhe Albanon Jankun, kanë favorizuar kompaninë "5D Konstruksion" sh.p.k. në tre procedura prokurimi të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës. Prokuroria pretendon se kompanisë iu krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë pjesëmarrës, duke u shpallur fituese në mënyrë të parregullt dhe në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik.

Sipas akuzës, veprimet e zyrtarëve kanë cenuar konkurrencën e lirë dhe barazinë në garën për tenderët publikë. Dosja "5D" konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK ndaj ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, ndërsa procesi gjyqësor ndaj të pandehurve vijon në GJKKO.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit