Një fermer i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar atë që ai e cilëson si një situatë shqetësuese me skemat e financimit të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), duke pretenduar se vonesat dhe ndryshimi i vlerave të financimit po dëmtojnë investimet në bujqësi.
Sipas denoncuesit, AZHBR ka nisur vetëm ditët e fundit njoftimin e fermerëve për lidhjen e kontratave të investimeve në bujqësi, ndonëse, sipas tij, këto procedura duhej të ishin përfunduar që në fillim të vitit 2026.
Ai pretendon se kjo vonesë ka sjellë pasoja konkrete për shumë fermerë, pasi një pjesë e investimeve lidhen me mbjelljen e fidanëve, proces që zakonisht kryhet deri në muajin mars.
Përveç vonesës, fermeri ngre shqetësimin se në kontratat e propozuara janë vendosur vlera shumë më të ulëta për zëra si mbjellja, rrethimi, sistemet e ujitjes dhe investime të tjera bujqësore.
Sipas tij, për këtë arsye shumë fermerë kanë refuzuar të firmosin kontratat, pasi pretendojnë se me çmimet e reja mbështetja nuk arrin më nivelin e parashikuar prej 50% të investimit, por mbulon vetëm rreth 30%.
"Ne nuk e kuptojmë nëse paratë e taksapaguesve shqiptarë janë për të mbështetur fermerët apo për t'i detyruar edhe ata pak që kanë mbetur ta braktisin bujqësinë dhe vendin", shprehet denoncuesi.
Çështjet që lidhen me funksionimin e AZHBR-së kanë qenë edhe më parë objekt denoncimesh publike dhe debatesh mbi mënyrën e administrimit të skemave të mbështetjes për fermerët. Megjithatë, pretendimet e ngritura në këtë rast mbeten deklarime të denoncuesit dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga redaksia.