Ka nisur marshimi i përnatshëm në rrugët kryesore të Tiranës në kuadër të ditës së 26-të të protestës qytetare kundër klasës politike që ka drejtuar vendin gjatë 35 viteve të fundit.
Pas grumbullimit dhe fjalimeve të mbajtura më herët para Kryeministrisë, mijëra qytetarë kanë vijuar protestën duke përshkuar akset kryesore të kryeqytetit nën thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, si dhe slogane të tjera kundër qeverisë dhe politikës tradicionale.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit shprehen se pakënaqësia e tyre lidhet me korrupsionin, keqqeverisjen, koston e lartë të jetesës, largimin masiv të të rinjve dhe mungesën e perspektivës në vend. Në marshim vijojnë të dëgjohen edhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, duke reflektuar qëndrimin e një pjese të protestuesve kundër të gjithë klasës politike.
Kolona e gjatë e qytetarëve po lëviz nëpër rrugët kryesore të Tiranës, ndërsa protesta vazhdon të mbetet një nga mobilizimet më të gjata qytetare të viteve të fundit, tashmë në ditën e saj të 26-të.