Një video e veçantë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Kukësi, ku një adoleshent ka zgjedhur ta bëjë ndryshe hyrjen në festën e minimaturës.
Ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve që në mbrëmje të tilla shoqërohen nga shokë, shoqe klase apo miq, ai vendosi që këtë moment të rëndësishëm ta ndajë me gjyshin e tij.
Siç shihet në pamje, i riu mbërrin në festë me një Lamborghini Urus, por ajo që tërheq vëmendjen nuk është automjeti. Sapo ndalon, ai zbret i pari, i hap derën gjyshit dhe e ndihmon të dalë nga makina, një gjest i bukur respekti dhe mirënjohjeje ndaj njeriut që e ka shoqëruar në rrugëtimin e jetës.
Më pas, të dy ecin së bashku drejt festës, ndërsa priten me duartrokitje nga nxënësit dhe të pranishmit e tjerë. Momenti ka sjellë emocione te shumë prej atyre që ndodheshin aty, pasi rrallëherë shihet që një i ri të zgjedhë gjyshin si shoqërues në një nga mbrëmjet më të rëndësishme të viteve të shkollës.
Në një kohë kur vëmendja shpesh përqendrohet te dukja dhe ekstravaganca, ky adoleshent dha një mesazh të thjeshtë, por me shumë vlerë: se respekti për familjen dhe veçanërisht për gjyshërit mbetet gjithmonë në modë.