Kapet me kokainë polici i burgut të Durrësit, dyshohet se do ja jepte një të burgosuri

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.06.2026, 18:46

Një rast shqetësues është zbuluar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, ku një punonjës policie është arrestuar në flagrancë me kokainë, të cilën dyshohet se do ja jepte një të dënuari brenda ambienteve të burgut.

Arrestimi është kryer nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka vënë në pranga punonjësin e policisë me inicialet A.P., si dhe të dënuarin me inicialet A.M., që vuante dënimin në IEVP Durrës.

Sipas autoriteteve, dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve me Burgim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, vepra të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se punonjësi i policisë është kapur në flagrancë gjatë operacionit të zhvilluar nga AMP, ndërsa dyshohet se lënda narkotike kishte si destinacion të burgosurin brenda institucionit.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe kontrollin brenda burgut të Durrësit, pasi futja e lëndëve narkotike në ambientet e një institucioni të vuajtjes së dënimit konsiderohet një shkelje e rëndë e ligjit dhe e rregullave të sigurisë.

Aktualisht, hetimet janë përqendruar jo vetëm te roli i dy personave të arrestuar, por edhe te mundësia që rasti të mos jetë i izoluar. Autoritetet po verifikojnë nëse kemi të bëjmë me një episod të vetëm apo me një skemë më të gjerë të futjes së sendeve të ndaluara dhe lëndëve narkotike brenda institucionit.

Në njoftimin zyrtar, AMP bëri me dije se arrestimi në flagrancë është kryer më 25 qershor 2026 dhe se procedurat hetimore vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë kompetente.

Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim të dalin detaje të tjera nga hetimi, të cilat mund të hedhin më shumë dritë mbi mënyrën se si lënda narkotike ka hyrë në institucion dhe nëse persona të tjerë mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit