Vatikani ka riafirmuar se vetëm priftërinjtë dhe dhjakët mund të mbajnë predikime gjatë meshës katolike, duke refuzuar kërkesën e Konferencës së Peshkopëve Gjermanë për të lejuar që edhe gratë apo laikët e tjerë të marrin këtë rol. Në një deklaratë të publikuar nga Dikasteri i Vatikanit për Adhurimin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, theksohet se kjo praktikë nuk është thjesht një rregull administrativ, por lidhet drejtpërdrejt me natyrën teologjike të liturgjisë katolike.
Debati ishte nxitur nga peshkopët gjermanë, të cilët argumentojnë se shumë laikë, përfshirë gra me formim të lartë teologjik, janë të aftë të japin reflektime dhe predikime gjatë meshës. Kjo kërkesë gjen mbështetje edhe te disa peshkopë në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera evropiane, të cilët kanë shprehur dëshirën për një rol më të madh të grave në jetën liturgjike të Kishës. Megjithatë, Vatikani sqaroi se predikimi gjatë meshës mbetet i rezervuar për ata që kanë marrë shugurimin kishtar.
Sipas mësimit të Kishës Katolike, gjatë kremtimit të meshës prifti vepron në emër të Krishtit dhe ushtron një shërbesë të veçantë që lidhet me sakramentin e shugurimit. Për këtë arsye, predikimi konsiderohet pjesë integrale e liturgjisë dhe nuk mund t’u besohet personave që nuk janë të shuguruar. Megjithatë, laikëve vazhdon t’u lejohet të mbajnë fjalime, katekeza dhe reflektime shpirtërore në takime lutjeje ose aktivitete të tjera fetare jashtë meshës.