Një video tepër shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke rikthyer në vëmendje një tjetër rast të rëndë që ngre pikëpyetje serioze mbi sjelljen dhe përgjegjshmërinë e shoferëve të kompanisë së autobusëve Green Line.
Në pamjet e publikuara shihet një qytetar i moshuar, me aftësi të kufizuara dhe në gjendje të rënduar fizike, i cili mezi i afrohet autobusit për të udhëtuar drejt destinacionit të tij. Me paterica në dorë dhe në kushte të vështira lëvizjeje, ai përpiqet të sinjalizojë shoferin që të ndalojë të niset, duke goditur lehtë derën e mjetit, në një përpjekje të fundit për të mos mbetur në mes të rrugës.
Por ajo që shihet në video është edhe më tronditëse: pavarësisht situatës së dukshme të qytetarit, shoferi nuk ndalet dhe autobusi vijon rrugën, duke e lënë të moshuarin në mes të temperaturave ekstreme dhe diellit përvëlues. Një sjellje që ngre shqetësime të forta për standardet e shërbimit dhe mungesën e ndjeshmërisë njerëzore në transportin publik.
Rasti i fundit nuk është i izoluar. Prej kohësh, kompania Green Line ka qenë në qendër të denoncimeve dhe skandaleve të ndryshme, që nga aksidentet rrugore, autobusë të përfshirë nga flakët, deri te incidente të tjera që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e pasagjerëve. Tashmë, sipas këtyre shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, problematika duket se ka kaluar nga siguria teknike, te trajtimi i drejtpërdrejtë i vetë njerëzve që paguajnë për këtë shërbim.