Autoritetet italiane kanë zbardhur detaje të reja mbi aksidentin tragjik që i mori jetën policit italian Francesco Imprezzabile. Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë së Milanos, është përjashtuar mundësia e një përplasjeje direkte mes motoçikletës së policit dhe SUV-it që nuk iu bind urdhrit për të ndaluar në një pikë kontrolli. Prokurorja Francesca Crupi po mbledh prova, përfshirë pamje nga kamerat e sigurisë, për të vlerësuar masa të mëtejshme ligjore ndaj të dyshuarve.
Ndërkohë, BG, 27-vjeçari shqiptar i arrestuar në lidhje me ngjarjen, ka shprehur pendesë gjatë marrjes në pyetje. Ai deklaroi se nuk u ndal në kontroll pasi kishte me vete disa gramë hashash dhe nuk donte të përballej me probleme ligjore. I riu kërkoi falje familjes së viktimës dhe shtetit italian, duke thënë se është i gatshëm të bëjë çdo gjë që mundet për të ndihmuar familjen e policit të ndjerë.
Komandanti i Policisë së Milanos, Gianluca Mirabelli, bëri të ditur se dy shtetas shqiptarë janë ndaluar në Monza dhe se hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e tyre. Sipas tij, identifikimi i automjetit u bë i mundur falë analizimit të kamerave të sigurisë së qytetit. Autoritetet dyshojnë se në SUV ndodheshin të paktën dy persona, ndërsa po kryhen verifikime të mëtejshme për të zbuluar nëse kishte edhe pasagjerë të tjerë.